Në kalendarin ortodoks të ditës së sotme kujtohet edhe Shën Kutbert (Cuthbert) Çudibërësi, i cili lindi në Northumbria të Britanisë në shekullin e 7-të, rreth vitit 634. Jetëshkrimi i tij u shkrua nga Shën Bede (27 maj) në shekullin e 8-të.

Për fëmijërinë e Kutbertit ka shumë pak të dhëna, por ekzistojnë disa tregime të mrekullueshme për të. I pari, kur ai ishte tetë vjeç, përshkruan se mbas një loje dhe grindje me shokët, ai nisi të mendojë dhe të prihet drejt thirrjes për t’iu përkushtuar Zotit.

Në një rast tjetër, Kutberti po vuante nga një gju i lënduar, kur një i huaj i pashëm, me veshje të bardha fisnike e vizitoi dhe e shëroi. Mbasi shëruesi u largua hypur në kalë, fëmija vëzhgoi se ishte ëngjëll dhe jo njeri.

Në vitet e mëvonshme Kutberti do t’iu thoshte miqve të tij të besuar, se sa herë që ndodhej në situata të dëshpëruara, Perëndia iu përgjigjej lutjeve të tij, duke i dërguar ëngjëj për ndihmë.

Në prozën “Jeta e Shën Kutbertit”, Shën Bede do t’iu kujtonte skeptikëve se shfaqja e një ëngjëlli në kalë nuk është e panjohur, nëse lexojmë 2 Makabejtë 11: 6-10 dhe 4 Makabejtë 4:10.

Kur ishte ende i ri dhe bari, ndërsa po lutej natën, Kutberti pa në vegim engjëjt që po merrnin shpirtin e Shën Aidan-it (31 gusht) në qiell, në një qerthull flakadani. Djaloshi i zgjoi barinjtë e tjerë dhe u tha atyre atë që kishte parë. Disa ditë më vonë ata mësuan se peshkopi Aidan nga Lindisfarne kishte vdekur në atë orë kur Kutberti kishte parë vegimin.

Kur u burrërua Shën Kutberti vendosi të heqë dorë nga jeta në botë dhe hyri në manastir, në Melrose të luginëns Tweed, ku u prit nga abati Shën Boisil (23 shkurt). Murgu i ri u pranua në bashkësi, ku u shqua për përkushtimin e tij, në agjërim të rreptë dhe lutje të pareshtura, në pagjumësi të vullnetshme.

Në konfliktet e atëhershme me Romën mbi përllogaritjen e datës së Pashkës, Shën Bede njofton në librin e tij mbi kishën dhe popullin anglez (HISTORY OF THE ENGLISH CHURCH AND PEOPLE, Book III, 25), se Shën Kutberti mbrojti traditat vendore kelte.

Mbas vdekjes së Shën Boisilit, ai u zgjodh si udhëheqës i bashkësisë murgjërore, duke iu prirë vëllezërve me shembullin e tij. Shenjtori udhëtonte në rrethinat e manastirit, për t’iu dhënë zemër të krishterëve, për të predikuar Ungjillin për ata që nuk e kishin dëgjuar kurrë.

Mbas përvojës së tij si abat, Kutberti u shugurua Peshkop i Lindisfarne, ku kryebaritoi për dy vjet, duke u kthyer pastaj për të kaluar ditën e fundit të jetës si vetmitar. Shën Kutberti fjeti në vitin 687.

Ashtu si për së gjalli, edhe mbas vdekjes ai ishte i pranishëm për besimtarët me shumë mrekulli, duke shëruar të sëmurët dhe duke i çliruar nga demonët.

Trupi i tij, i cili u gjet i patretur mbas njëmbëdhjetë vjetësh, u trazua dhe u zhvendos shumë herë për disa shekuj, për ta fshehur gjatë pushtimeve të vazhdueshme të vikingëve.

Në vitin 1537, varri i tij u hap dhe u përdhos nga të dërguarit e Henrit të 8-të, të cilët e gjetën trupin të patretur. Në vitin 1899 varri i Shën Kutbertit u hap për t’i bërë një analizë shkencore identifikimi. Ai ndodhet në katedralen e Durham-it.

At Foti Cici, 20 mars 2019